Strukturat kërkimore

Senati Akademik përcakton politikat e zhvillimit të AS-së, programon dhe bashkërendon veprimtaritë e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor, si dhe vlerëson efikasitetin e tyre. Ky organ miraton programet e reja të studimit e të kërkimit shkencor, ndryshimet si dhe mbylljen e tyre. Në fund të çdo viti akademik, ai organizon mbledhje të përbashkëta, në bashkëpunim me Bordin e Administrimit, ku diskutohet edhe për kërkimin.

Veprimtaria kërkimore-shkencore zhvillohet në mënyrë të organizuar në Qendrën e Kërkimeve Shkencore dhe të Projekteve dhe njësitë kryesore, njësitë bazë, nga personeli akademik dhe studentët e AS-së. Struktura përgjegjëse për planifikimin, menaxhimin dhe zhvillimin e veprimtarisë së kërkimeve shkencore është Qendra e Kërkimeve Shkencore dhe e Projekteve. Strukturat dhe subjektet e kërkimit shkencor dhe projekteve zhvillojnë veprimtaritë e tyre në përputhje me misionin, fushat e kompetencës dhe u nënshtrohen kritereve të financimit të veprimtarisë së tyre kërkimore-shkencore, sipas kornizës ligjore në fuqi për arsimin dhe kërkimin në institucionet e arsimit të lartë. Strukturat e kërkimit shkencor në AS, kanë detyrimin të bëjnë publike veprimtarinë e tyre, si edhe rezultatet përkatëse, me përjashtim të rasteve të veçanta që rregullohen nga aktet ligjore në fuqi që kanë të bëjnë me sigurinë e informacionit të klasifikuar. Strukturat e kërkimit shkencor në AS, për realizimin e misionit dhe detyrave të tyre themelore, bashkëpunojnë me struktura të tjera të Policisë së Shtetit dhe të institucioneve të tjera ligj zbatuese, sipas marrëveshjeve të bashkëpunimit dypalësh.