Struktura administrative

Kategoritë e personelit administrativ përcaktohen nga Bordi i Administrimit. Personeli administrativ i punësuar pranë rektoratit është personeli i punësuar pranë strukturave qendrore me karakter administrativ, sipas përcaktimeve të këtij statuti. Personeli administrativ i punësuar pranë njësive kryesore, përcaktohet në strukturën dhe rregulloren e secilës njësi kryesore. Personat kandidatë duhet të jenë shtetas shqiptarë me zotësi të plotë për të vepruar; të zotërojnë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin e punës për të cilin konkurrojnë; të mos jenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale me dashje; të mos jetë marrë ndaj tyre masa disiplinore e largimit nga puna.

Kriteret e veçanta të punësimit të personelit administrativ në aparatin administrativ të rektoratit përcaktohen nga administratori i AS-së dhe miratohen nga Bordi i Administrimit. Në rast se personeli administrativ do të punësohet në aparatin administrativ, administratori ngre komisionin përkatës, i cili përbëhet nga tre anëtarë. Anëtarët e këtij komisioni propozohen: dy kandidatura për anëtarë propozohen nga rektori dhe një kandidat për anëtar propozohet nga zyra e burimeve njerëzore.

Veçoritë për shpalljen e vendit të lirë, për procedurën e verifikimit paraprak dhe të testimit të kandidatëve, përcaktohen në “Rregulloren e AS-së”. Të drejtat dhe detyrimet e personelit administrativ, politikat e motivimit, zhvillimit dhe trajnimit, përcaktohen në “Rregulloren e AS-së”.