Senati Akademik

Senati Akademik është organi kolegjial më i lartë akademik i Akademisë së Sigurisë.

Anëtarët e Senatit Akademik janë:

a. rektori,

b. drejtuesit e njësive kryesore,

c. të zgjedhurit nga drejtuesit e njësive bazë,

d. personel akademik, si dhe,

e. përfaqësues të studentëve.

Anëtarët e senatit zgjidhen për një mandat katërvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje, nga radhët e anëtarëve të personelit akademik me kohë të plotë. Senati kryesohet nga rektori dhe mblidhet periodikisht, por jo më pak se një herë në dy muaj. Ai mund të mblidhet edhe në seanca të jashtëzakonshme, me nismën e kryetarit të tij ose me kërkesën e të paktën një së tretës (1/3) të anëtarëve të tij. Senati Akademik përcakton politikat e zhvillimit të AS-së, programon dhe bashkërendon veprimtaritë e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor, si dhe vlerëson efikasitetin e tyre.

Anëtarët e Senatit Akademik, përfaqësues të studentëve/kursantëve, zgjidhen nga studentët/kursantët. Mund të jenë përfaqësues të studentëve vetëm ata shtetas që janë studentë/kursantë në AS, në çastin e zgjedhjes së tyre. Anëtarët e Senatit Akademik zgjidhen nga asambleja e personelit akademik të njësive kryesore, përmes votimit të përgjithshëm,  për një mandat katërvjeçar. Senati Akademik, në mbledhjen e tij të parë dhe me propozim të rektorit, zgjedh nënkryetarin dhe sekretarin.

Senati Akademik përbëhet nga pesëmbëdhjetë anëtarë dhe e ushtron veprimtarinë e tij nëpërmjet vendimmarrjes kolegjiale, si edhe nëpërmjet komisioneve të krijuara prej tij. Senati Akademik kryesohet nga rektori. Në mbledhjen e senatit marrin pjesë të gjithë anëtarët e tij; anëtari që e ka të pamundur pjesëmarrjen, duhet të njoftojë për arsyen e mungesës së tij, të paktën 48 orë përpara zhvillimit të mbledhjes.

Mbledhjet e Senatit Akademik janë të vlefshme, nëse aty janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të tij; kur në hapjen e mbledhjes nuk janë të pranishëm shumica e anëtarëve, rektori vendos thirrjen e mbledhjes në një ditë tjetër, e cila duhet të mbahet jo më parë nga shtatë ditë. Si rregull, votimet në Senatin Akademik, janë të hapura; vendimet që përmbajnë vlerësime mbi sjelljen ose cilësitë e një individi, merren me votim të fshehtë; votimi i fshehtë realizohet edhe kur e kërkojnë të paktën një e pesta e anëtarëve të Senatit Akademik. Vendimet merren me shumicën e votave të anëtarëve që marrin pjesë në mbledhje dhe që kanë të drejtën e votës.