Rreth bibliotekës

Literatura bazë dhe ndihmëse e vënë në dispozicion të studentëve në gjuhën e programit të studimit (fizike dhe digjitale) është e bollshme dhe në përputhje me programin. Secili pedagog informon studentët lidhur me literaturën e lëndës dhe vë në dispozicion edhe literaturë të digjitalizuar. Garantimi i qasjes te literatura e nevojshme në programin “Bachelor” në “Siguria dhe hetimi”, garanton marrjen e dijeve dhe të njohurive të nevojshme, të parashikuara në programin e studimit e të ndarë në mënyrë të detajuar sipas kreditove të secilës lënde. Për mbështetjen me literaturë të programit të studimit, luan rol edhe në biblioteka e AS-së, në të cilën gjenden shumë tekste mësimore dhe literaturë ndihmëse bashkëkohore. Kjo literaturë që ka lidhje me fushën e sigurisë publike, në pjesën më të madhe, është e shkruar nga autorë vendas, po ekzistojnë edhe autorët e huaj të njohur ndërkombëtarisht, nga institucione të dëgjuara. Personeli akademik mbështet gjetjen e burimeve “online” të nevojshme e të kërkuara nga pedagogët e studentët.

Në fund të çdo viti mësimor, mblidhen mendimet e departamenteve në lidhje me literaturën e re që duhet futur në përdorim. Ky përditësim i vazhdueshëm i literaturës u vihet në dispozicion studentëve . Për blerjen e literaturës së specializuar në fushën e kërkimit shkencor dhe të profilit që lidhet me fushën e studimit, AS-ja parashikon fonde blerjeje literature. Pasurimi i literaturës së bibliotekës së AS-së, bëhet edhe përmes dhurimeve të ndryshme . AS-ja vlerëson në mënyrë periodike cilësinë e shërbimit të bibliotekës nëpërmjet marrjes së mendimeve të stafit e të studentëve, lidhur me literaturën dhe cilësinë e shërbimit të ofruar .

Biblioteka e AS-së është e pasur me tekste mësimore dhe literaturë plotësuese e cila është ne dispozicion të plotë të studentëve që kryejnë programin “Bachelor” në “Siguria dhe hetimi” si dhe të gjithë personelit akademik. Literatura mësimore që ofrohet për studentët, është e miratuara nga departamentet përkatëse dhe ka raste që përdoret edhe në universitete të tjera, në vend ose edhe jashtë, kur ajo është literaturë e huaj. Në bibliotekë përfshihet literaturë me tituj të librave universitarë në një numër të konsiderueshëm, që është e gjitha në dispozicion të studentëve e të personelit akademik të AS-së. Nuk ka diferencime në qasjen te fondi i bibliotekës dhe personeli i saj garanton shfrytëzimin në mënyrë të barabartë të kësaj literature.