Qendra e Kërkimeve Shkencore dhe Projekteve

Pranë rektoratit, si njësi koordinuese në funksion të procesit kërkimor-shkencor funksionon QKSHP-ja. Përgjatë dhe në fund të çdo viti akademik, QKSHP-ja raporton për veprimtarinë kërkimore-shkencore pranë rektoratit dhe senatit akademik, ku dhe kryhen vlerësimet përkatëse. QKSHP-ja promovon veprimtarinë kërkimore-shkencore të akademisë, brenda dhe jashtë vendit. Institucioni ka një praktikë të mirë në veprimtarinë kërkimore-botuese, duke botuar të gjithë materialet e konferencave përmes sektorit të botimeve të QKSHP-së, i cili ka atributet e shtëpie botuese. Nga QKSHP-ja janë realizuar mbi 12 projekte kërkimore shkencore, 7 konferenca shkencore ndërkombëtare e dy kombëtare si dhe janë publikuar 25 vëllime të revistës shkencore “Policimi dhe siguria”.

Veprimtaria e QKSHP-së, fokusohet ndërmjet të tjerave në kryerjen e studimeve të karakterit teoriko-shkencor në fushat e rendit dhe të sigurisë publike; në mbështetjen e studimeve, zhvillimin e programeve në kuadër të ecurisë në karrierë të personelit të strukturave përfituese në fushën e  rendit dhe sigurisë publike; në hartimin dhe pjesëmarrjen në projekte me karakter kërkimor-shkencor në fushën e sigurisë; në dhënien e ekspertizës për drejtuesit civilë apo të fushës së rendit dhe sigurisë publike, për hartimin e politikave dhe formulimin e dokumenteve kryesore strategjike, në këtë fushë; në mbështetjen e zhvillimit dhe modernizimit të Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera përfituese ligj zbatuese, nëpërmjet zbatimit të projekteve të kërkimit shkencor, përdorimit të programeve simuluese, kryerjes së testimeve dhe eksperimenteve shkencore; në hartimin, rishikimin dhe dhënien e asistencës për të gjithë spektrin e botimet shkencore në fushën e rendit dhe sigurisë publike; në menaxhimin e procesit akademik në interes të rritjes së  cilësisë së arsimimit në  institucion, si dhe të përmirësimit të koncepteve dhe bazës të policimit.

QKSHP-ja është e organizuar në formën e një institucioni të lartë kërkimor-shkencor, si një strukturë unike që realizon përgjegjësitë institucionale të Akademisë së Sigurisë dhe Policisë së Shtetit në një fushë specifike, në atë të kërkimit dhe përgjithësimit shkencor, por dhe të projekteve në interes të rendit, policimit dhe sigurisë së brendshme. Struktura organizative e QKSHP-së përbëhet nga: drejtori i QKSHP-së; sektori i kërkimeve shkencore, projekteve dhe inovacionit; si dhe, sektori i botimeve dhe informimit publik. Misioni i QKSHP-së është që, me resurset e veta dhe në bashkëpunim me pjesëtarë të stafit Akademik të Akademisë së Sigurisë dhe specialistë të strukturave qendrore e vendore të policisë, të organizojë e të realizojë projekte kërkimore e studimore-shkencore në fushën e policimit për rendin, sigurinë publike dhe luftën ndaj krimit; të realizojë botime shkencore të karakterit profesional për përvojat e përparuara të policisë shqiptare dhe policive Perëndimore, si dhe të propozojë hartimin e projekteve dhe programeve për parandalimin e kriminalitetit dhe fenomeneve regresive sociale.

Drejtor,Drejtues i Pare Xhavit Shala

Shef Sektori Prof.As.Dr Zaho Golemi

Shef Sektori,Prof.Asc.Dr. Albert Hitoaliaj