Procedura e Studimeve

AS-ja ka të përcaktuara qartë programet e studimit, mbi të cilat ka krijuar profilin e vet si institucion unik në Shqipëri për arsimin e lartë në fushën e sigurisë publike. AS-ja harton dhe zbaton një politikë të qartë për sigurimin e vazhdimësisë dhe të qëndrueshmërisë së programeve të studimeve të ofruara nga njësitë e tij kryesore, meqenëse kjo akademi është furnizuesja e vetme e policisë me të diplomuar. Në hartimin e programeve të studimit që ofron AS-ja, objektivat e çdo programi përputhen me misionin e organizimit të saj si institucion i arsimit të lartë policor. Programet e studimeve të ciklit “Bachelor” të ofruar nga AS-ja, janë në përputhje me komponentët e strategjisë zhvillimore të AS-së. AS në programet e saja të studimit përputhet me politikat Perëndimore dhe linjat e zhvillimit kombëtar e rajonal, të cilat kanë si prioritet sigurinë dhe integrimin euroatlantik.

Studimet e kryera në AS, për të gjithë studentët ose efektivët e PSH-së kalojnë nëpër tre etapa: studimet e formimit bazë në Kolegjin Profesional të Formimit Policor; studimet “Bachelor”, dhe studimet “Master”. Në fazën e parë, studentët orientohen për kërkesat e “Bachelor”-it dhe mundësitë e ecurisë së tyre në karrierë përmes arsimimit. Në fazën e dytë ata këshillohen për kërkesat që duhet të sigurojnë që të vijojnë arsimimin në ciklin e dytë të studimeve në AS. Ecuria e studentëve për karrierën policore lidhet me kalimin progresiv nga cikli në cikël dhe përcaktohet nga ligji  “Për Policinë e Shtetit”.

Programet e formimit profesional të “Bachelor”-it synojnë përftimin e njohurive gjithëpërfshirëse të specializuara teorike dhe praktike në fushën e sigurisë publike dhe hetimit të krimit. Këto programe synojnë pajisjen e studentëve me një sërë aftësish njohëse dhe praktike që nevojiten për të zgjidhur në mënyrë krijuese probleme të karakterit praktik të profesionit që ushtron një punonjës policie. Programet e studimeve të ciklit të parë pajisin studentët me njohuritë bazë, mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe formimin e shprehive të veçanta të fushës së sigurisë publike dhe hetimit të krimit.

Programet e ciklit të parë japin njohuri të përparuara në fushën e sigurisë publike dhe hetimit të krimit me qëllim të kuptuarit kritik të teorive dhe të parimeve akademike që lidhen e gërshetohen më aktivitetin e kësaj fushe. Programet e studimeve të ciklit të dytë synojnë formimin e kompetencave të avancuara në fushën e sigurisë publike dhe hetimit të krimit, të nevojshme për zgjidhjen e problemeve komplekse të paparashikueshme në një këtë fushë.

Programet e studimeve të ciklit të dytë synojnë zgjerimin dhe mbështetjen më të madhe te kërkimi shkencor, dhe për realizimin e tyre institucioni bashkëpunon me aktorë të ndryshëm të fushës së sigurisë publike. Programet e studimeve të hartuara nga AS-ja reflektojnë politikat studimore dhe kërkimore që AS-ja i zhvillon në përputhje me nevojat e kërkesat që ka Policia e Shteti dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese të fushës së sigurisë publike. Të gjitha programet në AS reflektojnë vijueshmëri të studimeve e kërkimeve në fushën e sigurisë publike dhe hetimit të krimit, nga cikli në cikël.