Laboratorë dhe salla

AS-ja zotëron mjedise të mjaftueshme e të përshtatshme mësimore për zhvillimin e veprimtarisë mësimdhënëse, në varësi të numrit të studentëve, të grupeve mësimore dhe në përputhje me natyrën specifike të programit të studimit “Bachelor” në “Siguria dhe hetimi” e moduleve përkatëse. Veprimtari mësimdhënëse ushtrohet në një hapësirë territoriale dhe në godina të cilat përmbushin standardet dhe kriteret funksionale të kërkuara për një kampus universitar. Ajo shtrihet në një sipërfaqe prej 8.4 ha, ka 20 godina, ku përfshihen mjedise si: mensa, biblioteka, hotele e fjetore, godina për mësim, ambiente administrative, palestra, fusha sporti, parkime automjetesh, laboratorë, poligon, kabinete etj. AS-ja vërteton ligjërisht përmes një dokumentacioni të plotë se infrastruktura ku ajo ushtron aktivitetin e saj është pasuri e paluajtshme e tij.

AS ka mjedise të përshtatshme të cilat përdoren në mbështetje të veprimtarive promovuese-artistike, konferencave, ekspozitave të ndryshme etj. Në AS gjendet një sallë e madhe kinemaje e cila shërben për këto aktivitete, e cila ka një kapacitet 300 vendesh dhe është e pajisur me sistem audio, ndriçim shumë të mirë, sistem ajrimi, ngrohje dhe ftohje. Kjo sallë është në dispozicion të personelit akademik dhe të studentëve për aktivitete të ndryshme. AS-ja punon për ruajtjen, vlerësimin, zhvillimin dhe mirëmbajtjen e fondit dokumentar dhe arkivor të trashëgimisë së vet akademike, kulturore, shkencore si dhe muzeore, edhe në rrugë elektronike, si një pasuri që duhet të trashëgohet. Institucioni ofron një infrastrukturë moderne dhe bashkëkohore në funksion të programeve të studimit që ofron. Në AS gjenden një numër i madhe sallash leksioni me pajisje moderne, bibliotekë, laboratorë, palestra, mjedise sportive, parkime, mensa, poligone, kabinete, zyra informimi për studentët etj. Ekziston edhe një plan transformimi përmirësues, i cili do të sjellë rritjen e kapaciteteve infrastrukturore të AS-së. Kushtet higjenosanitare, sistemet, gjelbërimi, sipërfaqja m2 për student, etj., janë pikë e fortë e AS-së pasi i plotëson të gjitha kriteret e kërkuara në këtë drejtim, duke siguruar edhe materiale e mjete moderne për mësimdhënien.