Kontrolli i cilësisë dhe shërbimet studentore

Si pjesë plotësuese për përmirësimin e vlerësimit të cilësisë së programeve, AS-ja përdor edhe metoda të tërthorta të cilat lidhen me studentët, stafin akademik, kërkuesit shkencorë, bashkëpunëtorët në projekte, programe e aktivitete të ndryshme shkencore si dhe me partnerë të ndryshëm. Këto metoda mbështeten në instrumente matëse të tillë si, sondazhe, intervista etj.

Në procesin e sigurimit të brendshëm të cilësisë ka angazhim të së gjitha niveleve: njësitë, individët si dhe studentët; nuk mungojnë në këtë proces vlerësues edhe struktura të tjera të Policisë së Shtetit. Për këtë proces merren detyra konkrete nga individët dhe strukturat e angazhuara, si: kryerja e anketimeve, intervistave, analizave etj., të cilat i shërbejnë përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së programeve. Njësitë bazë dhe ato kryesore të AS-së janë strukturat me përgjegjësinë më të madhe për realizimin e procesit të vlerësimit dhe sigurimit të cilësisë së brendshme. Njësitë bazë bëjnë vlerësimet e syllabuseve të cilat janë objekt i ndryshimeve të vazhdueshme vjetore. Ndryshimet bazohen te nevojat profesionale të lidhura risitë e fushës që ndryshojnë vit pas viti. Një rol të rëndësishëm dhe kontribut konkret jep edhe përfshirja e studentëve në këtë proces ndryshues. Një ndihmesë të veçantë vlerësuese, japin strukturat e Policisë së Shtetit që presin studentët e diplomuar, të cilat mbajnë kontakt të vazhdueshëm me AS-në duke sugjeruar edhe ide për përmirësimin e cilësisë së programeve të studimit. Krahas kësaj, mundet të përmendet si pjesë e këtij procesi vlerësues, edhe praktika që studentët kryejnë në strukturat përkatëse.

Personeli akademik dhe studentët janë të përfshirë drejtpërdrejt në sigurimin e brendshëm të cilësisë duke garantuar në mënyrë pjesëmarrjen e tyre të drejtpërdrejtë në strukturat e sigurimit të cilësisë. Ata përfshihen gjithashtu edhe në mënyra të tjera, duke qenë se veprimtaria vlerësuese i bëhet me dije, si personelit akademik ashtu edhe studentëve. Studentët informohen rregullisht përmes mënyra të ndryshme, si:

– rregulloret;

– përfshihen në strukturat e ndryshme brenda AS-së (NJSBC, Senat Akademik);

– kanë Këshill të studentëve;

–  informohen përmes javës orientuese, në fillim të vitit akademik.

AS-ja ka një strukturë të mirëorganizuar që siguron këshillimin e studentëve, orientimin e tyre si dhe komunikimin në nivele të ndryshme me personelin akademik. Në nivel institucional, mbështetjen, orientimin dhe komunikimin e studentëve për çdo program studimi, e kryejnë departamentet dhe sekretaritë mësimore. Për komunikimin dhe informimin përdoren edhe rrjetet elektronike: faqja e internetit e Akademisë së Sigurisë; rrjetet sociale të AS-së si dhe rrjeti i Policisë së Shtetit (asp.gov.al). Për sa i përket logjistikës, këtë mbështetje e ofron në nivel institucional “Sektori ekonomik dhe i shërbimeve”.

AS-ja ofron lehtësira të komunikimit të brendshëm të personelit akademik dhe studentëve të tij. Realizimi i këtij komunikimi në nivel njësie bazë mundëson kontaktin e drejtpërdrejtë të studentit me pedagogët e tij. Përdorimi i internetit është një mundësi më shumë për komunikim të brendshëm midis pedagogut dhe studentit, pasi studentët zotërojnë adresa imeili në rrjetin e brendshëm të Policisë së Shtetit; në këtë rrjet funksion edhe AS-ja. Krahas këtij rrjeti janë në sistem edhe numrat e telefonave individualë që përdorin efektivat dhe studentët e policisë.

Për sa i përket komunikimit të jashtëm, AS-ja ofron mjete të ndryshme komunikimi si përdorimi i faqes së internetit të institucionit, rrjeti social FB, adresa imeil, telefon, postë etj. Mjetet dhe mënyrat kryesore të informimit dhe komunikimit me studentët në AS janë:

– faqja zyrtare e institucionit të AS-së;

– faqja zyrtare në FB;

– numrat e telefonit;

– adresat e imeilit;

– banderolat (posterat) e afishuara në kënde informimi,

– fletëpalosjet;

– sekretaria mësimore;

– adresa e postës fizike.

Institucioni disponon adresën elektronike dhe numrin e telefonit të çdo studenti si dhe dosjen e plotë personale të studentit që menaxhohet nga sekretaritë mësimore dhe pas diplomimit të studentit arkivohet, duke respektuar parashikimet ligjore të vendosura nga ligji nr. 9154, datë 6.11.2003 “Për arkivat në RSH, i ndryshuar”. Gjithashtu studentët mund të komunikojnë me stafin administrativ të AS nëpërmjet adresave elektronike të brendshme të stafit administrativ, të cilat gjenden të publikuara në rrjetin e brendshëm që përdor policia.