Kërkimi shkencor në FSH

Fakulteti i Sigurisë dhe Hetimit si njësi kryesore e AS-së, zbaton programe të nivelit “Bachelor”, “Master” dhe “Master i shkencave”, programe trajnimi dhe specializimi si dhe ato të ecurisë në karrierë. Krahas misionit që ai ka për përgatitjen e specialistëve në nivele menaxhimi e udhëheqjeje ai bashkërendon mësimdhënien dhe kërkimin shkencor në fushën e rendit dhe të sigurisë publike. Fakulteti kryen veprimtari kërkimore shkencore të pavarur, në përputhje me misionin dhe fushat e veprimtarisë së AS-së. Fakulteti bashkëpunon me institucionet kërkimore-shkencore dhe me struktura të tjera ligjzbatuese, në lidhje me realizimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore.

FSH-ja, me qëllim plotësimin e nevojave që ka për realizimin e programit të studimit “Bachelor”, bashkëpunon me institucione të tjera të arsimit të lartë, brenda vendit, në rajon e më gjerë, ose me akademi të tjera policore të huaja, agjenci të ndryshme ligjzbatuese etj. AS-ja bashkëpunon me institute kërkimore shkencore si p.sh Instituti i Policisë Shkencore, Instituti i Mjekësisë Ligjore, etj., për të mundësuar aftësimin praktik të studentëve dhe lidhjen e tyre me fushën profesionale në të cilën ata do të zhvillojnë aktivitetin e tyre profesional pas diplomimit.

Departamenti është njësi bazë e zhvillimit të mësimdhënies dhe të punës kërkimore-shkencore në FSH. Departamenti përfshin fusha kërkimi të përafërta dhe grupon disiplinat mësimore respektive. Ai është i organizuar në grupe mësimore e kërkimore. Grupet mësimore e kërkimore janë të përhershme, por ato mund të jenë edhe të përkohshme. Grupi mund të jetë edhe vetëm kërkimor. Misioni i departamentit, si njësi bazë e FSH-së, është të nxisë, të bashkërendojë dhe të administrojë veprimtarinë e mësimdhënies dhe atë kërkimore, duke respektuar liritë akademike të personelit akademik dhe të drejtën e tij për të shfrytëzuar burimet materiale e financiare në dispozicion të tij. Departamenti dhe grupet kërkimore në FSH janë promotorë të veprimtarive të kërkimit shkencor, studimeve, botimeve dhe projekteve.