Fusha e Studimit

Programet e zhvilluara në AS, kanë objektiva të përcaktuar qartë dhe rezultatet e tyre të së nxënit përputhen me nivelin e profilin kualifikimit që ofrojnë. AS-ja dëshmon përmes programeve të saja se rezultatet e të nxënit përputhen me nivelet e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve. Ajo ofron programe studimi të cikleve të parë e të dytë të studimit, që i përshtaten profilit të saj si institucion i arsimit të lartë policor. Rezultatet e të nxënit të programeve që ofron AS-ja, përputhen me kërkesat që ka Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese përfituese. Një nga prioritetet e AS-së është hartimi dhe zbatimi i procedurave të qarta dhe transparente në lidhje me matjen dhe vlerësimin e rezultateve të së nxënit në programet e studimit. Bazuar te analiza e matjeve të rezultateve të së nxënit, kjo analizë vendoset në dispozicion të përmirësimit të kurrikulës dhe të palëve të interesit, duke ndryshuar e përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme programet e studimit.

Programet e studimeve ofrojnë lëndë dhe module të veçanta me karakter të mirëfilltë profesional dhe njohuri nga fusha e sigurisë publike. Të gjitha programet e studimit të ofruara në AS kanë për qëllim të formojnë specialistë në fushën e sigurisë publike përmes së cilës ata do të kontribuojnë në funksione të ndryshme në Policinë e Shtetit dhe agjencitë ligjzbatuese, për një zhvillim të qëndrueshëm në organizatë.

Programet e studimit që ofrohen nga AS-ja përfshijnë njohuri për sigurinë publike, hetimin e krimit dhe praktikë profesionale, të cilat janë të shtrira për gjatë gjithë vitit në programe të caktuara ose të grumbulluara në fund të semestrit, e që zhvillohen pranë institucioneve të përcaktuara nga departamenti. Programet e studimit kanë të parashikuar veprimtari mësimore në funksion të formimit praktik profesional si punët laboratorike, ushtrimet, detyrat/projektet kërkimore si dhe praktikat profesionale në terren. Praktika profesionale zhvillohet në bashkëpunim me sektorë të ndryshëm të Policisë së Shtetit, në të cilët këta studentë do të punojnë pas diplomimit.

Rregulloret e programeve të studimit në AS, përcaktojnë qartë profilet dhe mundësitë e punësimit në përfundim të tyre. Studentët profilizohen në drejtim të sigurisë publike dhe të hetimit të krimit. AS-ja mbështetet gjerësisht në informacionin e vlerësimet e marra nëpërmjet Alumnit për të përditësuar kurrikulat, me qëllim përshtatjen me nevojat dhe detyrat funksionale që ata do të marrin në Policinë e Shtetit.