Bashkëpunimi ndërkombëtar

AS-ja në strategjinë e saj zhvillimore ka të përcaktuara qartë prioritetet strategjike të politikës së saj të bashkëpunimit . Pjesë e objektivave strategjikë që gjenden në strategjinë zhvillimore të AS-së si dhe në planin e zbatimit të kësaj strategjie, është edhe përcaktimi i qartë i profilit të lidhur me ndërkombëtarizimin dhe me nivelin e kërkimit që synon të zbatojë. Në strategjinë e vet AS-ja, merr parasysh nevojat e PSH dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese për hapjen e programeve të reja ose për hartimin e projekteve kërkimore shkencore. AS-ja përmes sektorit të bashkëpunimit ndërkombëtar, bashkëpunon me partnerë në kuadër të zbatimit të strategjisë zhvillimore. AS-ja organizon dhe kryen marrëveshje bashkëpunimi me institucione homologe të arsimit të lartë brenda dhe jashtë vendit.

AS-ja harton dhe zbaton një politikë shumë të zgjeruar bashkëpunimi, duke kryer një sërë marrëveshjesh me institucione të ndryshme arsimore, policore e civile, kombëtare e ndërkombëtare si dhe, me organizata të tjera të ndryshme. Bashkëpunimi me akademi të ndryshme arsimore policore evropiane, është një pikë e fortë e AS-së, pasi mundëson shkëmbimin e përvojave më të mira pedagogjike dhe kërkimore; disa prej tyre janë: Universiteti “Tor Vergata” i Romës; institucionet akademike homologe të rajonit dhe evropiane si, akademitë e universitetet policore të: Finlandës, Estonisë, Italisë, Turqisë, Austrisë, Gjermanisë etj. AS-ja ka kryer bashkëpunime shkencore edhe me organizata ndërkombëtare të rëndësishme në nivel global si: BE, OSBE, NATO, OBSH etj., si dhe me misione të huaja bashkëpunimi policor si PAMECA, FRONTEX, MAPE, ICITAP, CEPOL etj. AS-ja përmes qendrës së saj të kërkimeve shkencore, harton dhe zbaton politikën e vet të etikës në kërkimin shkencor dhe monitoron zbatimin e saj, duke u mbështetur në dokumentet kryesore mbi të cilat zhvillohet kërkimi shkencor në AS.