Akomodimi

AS-ja zotëron mjedise të mjaftueshme e të përshtatshme mësimore për zhvillimin e veprimtarisë mësimdhënëse, në varësi të numrit të studentëve, të grupeve mësimore dhe në përputhje me natyrën specifike të programit të studimit “Bachelor” në “Siguria dhe hetimi” e moduleve përkatëse. Veprimtari mësimdhënëse ushtrohet në një hapësirë territoriale dhe në godina të cilat përmbushin standardet dhe kriteret funksionale të kërkuara për një kampus universitar. Ajo shtrihet në një sipërfaqe prej 8.4 ha, ka 20 godina, ku përfshihen mjedise si: mensa, biblioteka, hotele e fjetore, godina për mësim, ambiente administrative, palestra, fusha sporti, parkime automjetesh, laboratorë, poligon, kabinete etj. AS-ja vërteton ligjërisht përmes një dokumentacioni të plotë se infrastruktura ku ajo ushtron aktivitetin e saj është pasuri e paluajtshme e tij .

AS ndodhet e pozicionuar në periferi të Tiranës, në Sauk, dhe zhvillon veprimtarinë e vet larg zonave të zhvillimit industrial apo zonave me ndotje mbi normat e lejuara sipas standardeve përkatëse. Normativa e sipërfaqes së shfrytëzueshme prej 3,8–4.0 m2/student (minimumi) dhe 7.5–8.0 m2/student (maksimumi), plotësohet në mënyrë të kënaqshme nga AS-ja. Ambientet në të cilat zhvillohet veprimtaria mësimdhënëse kanë një lartësi jo më të vogël se 3.0 m  (tavan-dysheme), e cila përmbush standardet e kërkuara për një zhvillim sa më normal të kësaj veprimtarie. Normativat teknike të ndriçimit natyral, sipërfaqja e dritareve e cila mbulon minimalisht (15–20)% të sipërfaqes së dyshemesë, si dhe ndriçimi optimal i studentit, janë standarde të cilat AS-ja i përmbush të gjitha në mënyrë të plotë. Godinat ku zhvillohet procesi mësimor si dhe ambientet e akomodimit të studentëve kanë dalje dhe shkallë emergjence. Në AS gjendet i instaluar sistemi i mbrojtjes kundra zjarrit dhe sistemi i mbrojtjes kundër shkarkesave atmosferike. Sistemi i ajrimit (me ngrohje-ftohje) i godinave të AS-së është funksional dhe modern. Krahas këtyre sistemeve AS ka edhe burime alternative për furnizimin me energji elektrike (motogjenerator etj.), si edhe rezerva të mjaftueshme të ujit të përdorshëm (depozita uji).

AS disponon mjedise të shumta pushimi. Aty gjenden një kafe-bar, dy mensa me kapacitet prej rreth 200 vendesh në të cilat kryhet trajtimi me ushqim i studentëve, i personelit akademik dhe i të gjithë atyre që trajnohen ose që kryejnë programe të ndryshme ditore apo më të gjata. Në AS gjenden një sërë mjedisesh të jashtme të cilat shërbejnë për zhvillimin e veprimtarive sportive; ka 2 palestra, infrastrukturë sportive të hapur dhe të mbyllur (fusha futbolli, volejbolli, basketbolli) në dispozicion të personelit akademik dhe të studentëve të saj. AS ka mjedise të përshtatshme të cilat përdoren në mbështetje të veprimtarive promovuese-artistike, konferencave, ekspozitave të ndryshme etj. Në AS gjendet një sallë e madhe kinemaje e cila shërben për këto aktivitete, e cila ka një kapacitet 300 vendesh dhe është e pajisur me sistem audio, ndriçim shumë të mirë, sistem ajrimi, ngrohje dhe ftohje. Kjo sallë është në dispozicion të personelit akademik dhe të studentëve për aktivitete të ndryshme.

AS ofron dhe siguron për personelin akademik dhe për studentët njësi dhe shërbime të ndryshme strehuese që lidhen me transportin, hapësira për parkim, 4 godina që shërbejnë si hotele, fjetore për studentët etj. Në AS gjenden 5 hapësira parkimi të mëdha e të mjaftueshme për personelin e AS-së, për studentët dhe për të gjithë ata që kryejnë aktivitete të tjera në institucion. Kapaciteti strehues i AS-së për fjetje dhe jetesë të studentëve brenda ambienteve, është prej 500 vetash. Brenda mjediseve të AS-së funksionon edhe Qendra Shëndetësore e AS-së, e pajisur me infrastrukturën e duhur mjekësore dhe me një personel mjekësor 5 vetë (mjekë, ndihmësmjekë dhe laborant), e cila ofron shërbim të posaçëm të ndihmës së shpejtë, kryerje analizash, dhe vizitash të ndryshme mjekësore, për personelin akademik dhe studentët. Mjediset e AS-së janë plotësisht në përputhje me standardet e kërkuara higjenosanitare që duhet të ketë një institucion universitar dhe, AS zotëron Aktmiratimin higjenosanitar të lëshuar nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë.