Fusha e kërkimit

AS-ja zhvillon veprimtari mësimore e shkencore në të gjitha ciklet e studimit nga njësitë kryesore në arsimin e lartë, në fushën e rendit e të sigurisë publike dhe përgatit specialistë për këto fusha. Ofron programe formimi, trajnimi të vazhduar për ecurinë në karrierë, dhe specializime për të gjitha nivelet në Policinë e Shtetit dhe për institucionet kërkuese e përfituese të sigurisë publike, dhe i certifikon ato. AS-ja zhvillon studime në fushën e rendit dhe të sigurisë publike, si dhe jep rekomandime si e ofron botime të kësaj fushe.

Akademia e Sigurisë ndër të tjera ka edhe si detyrë themelore që të krijojë, zhvillojë, mbrojë dhe transmetojë dijet me anën e kërkimit shkencor të personelit policor si dhe të gjithë institucioneve të tjera përfituese; të kryejë studime të karakterit teoriko-shkencor që t’i paraprijë zhvillimeve të ardhshme në fushën e rendit dhe sigurisë publike; të kryejë studime dhe të ofrojë ekspertizë për probleme teorike e praktike të fushave të policimit dhe të sigurisë, në interes të policisë e institucioneve të tjera përfituese që kanë lidhje me ruajtjen dhe sigurinë në vend.

AS-ja si institucion i arsimit të lartë publik, kryen veprimtari kërkimore-shkencore bazë ose të zbatuara, studime, projekte për zhvillim dhe veprimtari të tjera krijuese, sipas natyrës dhe objektivave specifikë të institucionit. Ato garantojnë integrimin e veprimtarisë kërkimore me atë të mësimdhënies. Veprimtaria kërkimore-shkencore realizohet në përputhje me misionin dhe fushat e veprimtarisë së AS-së, dhe rregullohet sipas kornizës ligjore në fuqi, dhe statutit të AS-së. Njësitë bazë dhe njësitë kryesore, në fillim të çdo viti akademik, përcaktojnë fushat, drejtimet, vëllimin e punës dhe afatet e veprimtarisë kërkimore-shkencore, me përjashtim të rasteve kur kanë miratuar plane afatmesme dhe afatgjata për kërkimin shkencor. Nëpërmjet veprimtarisë kërkimore-shkencore personeli akademik dhe studentët fitojnë aftësi për kërkime të pavarura, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm profesional dhe të karrierës akademike. AS-ja kryen edhe veprimtari kërkimore-shkencore në interes të Policisë së Shtetit, AS-së dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese të sigurisë nëpërmjet Qendrës së Kërkimeve Shkencore dhe Projekteve.