Cikli i parë/“Bachelor”

Në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit zhvillohen dy programe kryesore:

a. Cikli i parë “Bachelor” për Siguri dhe Hetim, i cili realizohet në 3 vite akademike. Këtë program mund ta ndjekin vetëm punonjësit e policisë që kanë përfunduar shkollimin bazë policor.

b. Kursi i Formimit Profesional Specialist për hetim krimi, rendi kufiri dhe migracioni.

Për nevoja të Policisë së Shtetit, pranohen në Akademinë e Sigurisë shtetas që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë dhe plotësojnë kriteret e përcaktuara. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kibernetik, kanë nxitur vazhdimisht të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve dhe që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.

Programet e ciklit të parë të studimit “Bachelor” për “Hetimin e krimit”, dhe “Bachelor” për “Rendin dhe sigurinë publike” të zhvilluara në Akademinë e Sigurisë, janë hapur me urdhër të përbashkët, nr. 7379/2, datë 5.10.2015 të ministrit të Punëve të Brendshme, dhe urdhër nr. 7670, datë 6.10.2015 të ministrit të Arsimit dhe Sporteve: “Urdhër i përbashkët për hapjen e programit të studimeve të ciklit të parë ‘Për hetimin e krimit’”; me urdhër të përbashkët, nr. 7379/1 dt. 5.10.2015 të ministrit të Punëve të Brendshme, dhe urdhër nr. 7669 dt. 6.10.2015, të ministrit të Arsimit dhe Sporteve: “Urdhër i përbashkët për hapjen e programit të studimeve të ciklit të parë ‘Për rendin dhe sigurinë publike’”.

Akademia e Sigurisë u riorganizua si institucion arsimor, me urdhër nr. 180, dt. 15.4.2016, të ministrit të Arsimit dhe Sporteve, “Për riorganizimin institucional të Akademisë së Sigurisë”. Pas këtij riorganizimi erdhi edhe riorganizimi i programeve “Bachelor” me urdhër të ministrit të Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, nr. 458, dt. 27.7.2018 “Për riorganizimin e programit të ciklit të parë të studimit “Bachelor” në “Siguria dhe hetimi” në Akademinë e Sigurisë”.

Programi i studimit realizohet me 180 kredite, në gjuhën shqipe, me formë studimi me kohë të plotë, me kohëzgjatje normale prej 3 vitesh akademike (6 semestra), në përfundim të së cilit lëshohet diploma “Bachelor” në “Siguria dhe hetimi”, në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, të Akademisë së Sigurisë, referuar nivelit 6 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve.

Veprimtaria e Akademisë së Sigurisë sot mbështetet në legjislacionin arsimor, kryesisht në ligjin nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”; në ligjin nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” (kreu VII, neni 37 e 38); VKM nr. 185, datë 25.2.2015, “Për organizimin dhe funksionimin e Akademisë së Sigurisë”; VKM nr. 881, datë 28.10.2020, “Për dhënien e statusit të veçantë të Akademisë së Sigurisë, si institucioni i vetëm publik i arsimit të lartë në fushën e rendit dhe të sigurisë publike, si dhe organizimin dhe funksionimi e saj”.

Mbështetur në nevojat që ka Policia e Shtetit dhe strukturat e tjera ligjzbatuese për kualitete profesionale, për hetimin dhe për sigurinë publike, si dhe për goditjen e formave e metodave të krimit, objektiva kryesorë të zhvillimit të këtij programi  janë:  plotësimi i nevojave që ka Policia e Shtetit dhe strukturat e tjera ligjzbatuese për specialistë të aftë në përputhje me zhvillimet social-ekonomike të vendit; rritja e kapaciteteve të formimit policor, duke u bazuar në përvojat e arsimore më të mira kombëtare e ndërkombëtare; realizimi i studimeve universitare bashkëkohore, në përputhje me kërkesat e komunitetit, për punonjës profesionistë, etj.