Historik

Shkolla e policisë filloi të funksionojë më 1.9.1946, në periferi të Tiranës, në Sauk, me mësimdhënës instruktorë që kryesisht vinin nga radhët e formacioneve partizane, në vitin 1951 u hapën kurset profesionale, si për oficerë ashtu edhe për nënoficer policie njëvjeçare të cilët synonin krijimin dhe zhvillimin e përgatitjes profesionale të punonjësve të policisë.

Më 20.01.1954, krijohet për herë të parë “Shkolla e Bashkuar e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, shkollë që arsimonte specialistë të plotë në kurse solide për kohën: 1 deri në 2-vjeçare.

Me vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 184 datë 20.12.1971, u vendos krijimi i Shkollës së Lartë 3-vjeçare të Ministrisë Punëve të Brendshme e cila filloi programin e rregullt universitar në shtator 1972.

Shkolla përgatiste specialistë në fushën e sigurimit, të policisë dhe të kufirit. Përveç kësaj, funksiononte dhe sistemi i kurseve gjashtë dhe nëntëmujore. Në vitet 1974-1975 në programet mësimore 61% e zinte përgatitja teorike dhe 39% ajo praktike. Në maj të vitit 1979, studimet në Shkollën e Lartë u zgjatën në tre vjet pa shkëputje nga puna dhe një vit stazh në detyrë policore.

Në vendimin e Këshillit të Mbrojtjes, nr. 2 datë 16.2.1982, “Për ngritjen e mëtejshme të punës mësimore edukative të shkollave ushtarake”, Shkolla e Lartë e MPB-së merr një fizionomi të re, me program të plotë trevjeçar. Kujdes i veçantë i kushtohej forcimit të katedrave si njësi bazë të punë mësimore-shkencore dhe edukative, ngritjes së nivelit shkencor të punës së tyre, kualifikimit të pedagogëve dhe asistent pedagogëve, duke u angazhuar plotësisht në punën studimore e shkencore, si kusht i rëndësishëm për ngritjen cilësore të procesit mësimor edukativ të shkollave ushtarake dhe të SHL të MPB-së. Ndërkohë, sipas nevojave, hapeshin dhe kurse pasuniversitare specializimi për kuadrot me arsim të lartë.

Në shtator 1984, Shkolla e Lartë u përfshi në një proces ndryshimi të programeve mësimore, aktivitetit kërkimor shkencor, trupit pedagogjik dhe bazës didaktike. Shkolla filloi të funksionojë me sistem 4-vjeçar me shkëputje nga puna dhe 5-vjeçar me pa shkëputje nga puna.

Me VKM nr. 281, datë 2.6.2000, Shkolla emërohet “Akademia e Policisë”. Në gusht të vitit 2005, me mbështetje të programit ICITAP dhe PAMECA, filloi procesi i reformimit të sistemit të edukim trajnimit policor shqiptar dhe në shtator 2006 fillon programi i parë për trajnimin bazë policor (Shkollimi Bazë Policor).

Akademia e Sigurisë është një institucion, i pavarur dhe laik i arsimit të lartë

licencuar në prill të vitit 2004, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës; ajo hapi dyert në vitin akademik 2004-2005, me kursin e parë të studimeve me rreth njëqind studentë.

Koha kërkonte krijimin e Akademisë së Sigurisë, konceptimin e saj organizativ, infrastrukturor, me programe ku ndërthurej arsimimi bazë policor me trajnimet, kualifikimet institucionale dhe arsimimi i lartë në të tre ciklet sipas Kartës së Bolonjës. AS-ja e rifilloi aktivitetin e saj si institucion i arsimit të lartë bazuar në VKM nr. 185, datë 25.2.2015, “Për organizimin dhe funksionimin e Akademisë së Sigurisë”.

Akademisë së Sigurisë, iu dha Statusi i veçantë me VKM nr. 881, datë 28.10.2020, e ndryshuar me VKM nr. 320 datë 2.6.2021 “Për dhënien e statusit të veçantë Akademisë së Sigurisë, si institucioni i vetëm publik i arsimit të lartë në fushën e rendit dhe sigurisë publike, si dhe organizimi e funksionimi i saj”. Statusi i veçantë i AS-së konsiston në harmonizimin e ligjit për arsimin e lartë dhe kërkimit shkencor në RSH, me ligjet përkatëse të Policisë së Shtetit dhe të institucioneve të tjera ligjzbatuese, pjesëmarrëse në arsimim, si dhe për çështje që lidhen me organizimin dhe funksionimin e saj, si menaxhimi i personelit, zhvillimi i procesit mësimor, zhvillimi i programeve të studimit dhe programeve të kualifikimit e të trajnimit.

Në strukturën e saj, Akademia e Sigurisë përmban dy njësi kryesore: Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, dhe Kolegjin Profesional të Formimit Policor. Në përbërje të saj është edhe Qendra e Kërkimeve Shkencore dhe Projekteve, si dhe njësi të tjera bazë.

AS-ja respekton detyrimet ligjore të përcaktuara shprehimisht në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, nr. 108/2014 (me ndryshimet përkatëse) ligji nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, si dhe të gjitha aktet e tjera ligjore e nënligjore.