Fjala e Rektorit

Arsimi policor ka pasur ulje-ngritjet e veta. Kurba e zhvillimit të tij ka ndryshuar në varësi të rrethanave historike, politike, zhvillimit të shkencës dhe ligjit, mentalitetit mbi arsimin policor në përgjithësi, por edhe rolit të drejtuesve në këto zhvillime në veçanti. Koha me kërkesat dhe pritshmëritë e veta ka diktuar trajektoren e këtij zhvillimi. Akademia e Sigurisë si institucion ballafaqohet me realitetin, me standardet e kërkuara ndërkombëtare dhe sfidat jo të lehta që përballon ky profesion. I gjithë aktiviteti i saj renditet mbi bazën e prioriteteve që çojnë në realizimet e pritshme në të ardhmen, të një arsimimi policor ku kompetenca akademike e cilësia e lartë profesionale shoqërohet me elementë të një strukture dhe infrastrukture bashkëkohore me qëllim aftësimin e studentëve në detyrat që i presin dhe të atyre që trajnohen me nevojat e përditshmërisë. Çështjet e rendit dhe të sigurisë publike janë delikate. Prej tyre varet cilësia e jetës, shëndetit, mirëqenies dhe qetësisë e stabilitetit në jetën qytetare. Standardi i tyre është tregues i ekzistencës ose jo të shtetit të së drejtës. Në realitetin e sotëm kur lufta me kriminalitetin është bërë më e ashpër dhe më e sofistikuar, roli i Akademisë së Sigurisë në përgjithësi dhe kontributi që ky institucion gjeneron përmes kursantëve dhe studenteve që arsimon, në veçanti, mbetet ende një sfidë së cilës nuk mund t’i përgjigjesh me metoda të vjetra ose jo aq të avancuara sa kërkohet prej ritmeve të zhvillimit aktual.

Cilësia e zhvillimit të planeve, kurrikulave mësimore e progresiste në arsimimin policor dhe veçanërisht akreditimi i institucionit si një hap me rëndësi,kontribuojnë në garantimin e rendit dhe sigurisë publike në luftën kundër krimit dhe krimit të organizuar në mbrojtje të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Një mision i shenjtë dhe aspak i lehtë për t’u përmbushur me sukses pa një dedikim të plotë dhe profesionist.

Sot Akademia e Sigurisë është një institucion i arsimit të lartë, i akredituar dhe me programe të akredituara. Ndiej kënaqësi dhe mendoj se është nder i veçantë për mua që, “firmën” e parë pas marrjes së detyrës si rektor i Akademisë së Sigurisë, ta hidhja për kërkesën me objekt:  “Akreditimi institucional i Akademisë së Sigurisë”, shkresë e cila i është drejtuar ASCAL-it. I gjithë procesi i akreditimit, në vetvete, përbën dhe shërben si një mekanizëm për vlerësimin e cilësisë në institucionet e arsimit të lartë. Për Akademinë e Sigurisë, procesi i akreditimit është një hap drejt përmirësimit të përputhshmërisë të cilësisë së arsimit të lartë me standardet dhe udhëzuesit për sigurim të cilësisë në hapësirën evropiane të arsimit të lartë.

Ky proces, nxori në pah se e tashmja ka ardhur si pasojë e kujtesës historike të një progresi gradual dhe të sigurt. Ky akreditim shërben njëkohësisht si bazë e sigurt për të rikonceptuar strategjitë, objektivat, vizionin dhe misionin e Akademisë së Sigurisë në përputhje me nevojat e kohës dhe proceset e përqasjes, me synimin për të ngritur në një nivel akoma më të lartë shkallën e performancës dhe efektivitetin e punës për të garantuar vazhdimësinë e sigurimit të cilësisë. Duke përfunduar, më lejoni të them se kemi një zhvillim pozitiv institucional mbi të cilin mund të mbështetet vijimi i një rrugëtimi të suksesshëm. Ndiej kënaqësi, që mua dhe kolegëve, na u dha mundësia që të punojmë ngushtësisht në këtë proces. Ndjej admirim për çdo kontribuues dhe për punën me përkushtim të shumë gjeneratave të kësaj Akademi