Kurrikulat dhe cilësia

Në kuadër të transparencës, AS-ja ndjek politika dhe ka hartuar edhe një strategji zhvillimore ku transparenca cilësohet si një prej vlerave kryesore institucionale. Programi i studimit “Bachelor” në “Siguria dhe hetimi” është transparent dhe i publikuar në faqen e internetit të AS-së me qëllim që të jetë në dispozicion të studentëve dhe të palëve të interesuara .

Vlerësimi i programit shoqërohet me një plan masash konkrete të fakultetit, i cili trajton dhe synon përmirësimin e mangësive dhe dobësive të evidentuara në procesin vlerësues. Me qëllim që vlerësimi të jetë sa më efikas, AS-ja përmes njësisë së sigurimit të brendshëm të cilësisë monitoron cilësinë e përmirësimit të programeve, bazuar te indikatorët dhe instrumentet e tjera matëse . Politika, strategjia, organizimi dhe veprimtaritë në kuadër të sistemit të Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë për programin e studimit janë transparente dhe bëhen publike për studentët dhe të gjithë të interesuarit, si në internet edhe nëpërmjet sistemit të brendshëm.

Në përfundim të çdo viti akademik, AS-ja ndjek procedura periodike të përcaktuara qartë, nëpërmjet analizave, raporteve, anketimeve, kërkesave të studentëve, kërkesave të PSH-së dhe agjencive të tjera ligjzbatuese etj., të cilat lidhen me përmirësimin e programeve të studimit që ajo ofron. Lidhur me shqyrtimin, miratimin dhe mbikëqyrjen e programeve të studimit që zhvillon AS-ja, njësitë bazë kryejnë procesin e përmirësimeve të vazhdueshme të syllabuseve, bazuar në ecurinë dhe kërkesat e nevojat e fushës. Ky proces është i dokumentuar dhe zhvillohet në mënyrë periodike. Krahas indikatorëve dhe treguesve që ndodhen në “Manualin e sigurimit të cilësisë”, AS-ja zhvillon analiza e takime periodike në njësitë bazë e ato kryesore, lidhur me vlerësimin e cilësisë. Monitorimi i realizimit të programeve si pjesë e objektivave zhvillimore të AS-së që lidhen me formimin dhe nxënien, ka çuar në përmirësimin e tyre të vazhdueshëm. Këto vlerësime dhe ndryshime të dokumentuara u janë bërë të njohura organeve më të larta vendimmarrëse të AS-së dhe të PSH-së; këto ndryshime u janë bërë të njohura edhe instancave përkatëse në MASR. Në mënyrë të vazhdueshme, raportet vjetore të AS-së pasqyrojnë rezultatet e arritura, pritshmërinë dhe sugjerojnë masa dhe orientojnë njësitë drejt trajtimit të mangësive, me qëllim përmirësimin e cilësisë.