Alumni dhe karriera

AS-ja përdor forma bashkëpunimi me studentët e diplomuar/Alumni në të mirë të rritjes së cilësisë në programet aktuale. Ata bëhen pjesë e aktiviteteve të ndryshme kërkimore ose angazhohen edhe në procesin e mësimdhënies. Në AS studentët e diplomuar përfshihen në proceset e rishikimit dhe riorganizimit të kurrikulave, ose edhe hapjes së programeve të reja, duke u marrë mendimin dhe duke i ftuar në procesin e këshillimit e të vlerësimit për përmirësimin e kurrikulave. Në mënyrë periodike organizohen anketime me studentë të diplomuar, me qëllim matjen e cilësisë së arsimimit që ofron AS-ja dhe përputhjes që ka niveli i tyre profesional me organizatën e policisë, në të cilën ata ushtrojnë aktivitetin e tyre pas diplomimit. Akademia e Sigurisë ka marrë pjesë në vitin 2015 në “Sondazhin kombëtar të studentëve për institucionet e arsimit të lartë”, organizuar nga ASCAL-i, rezultatet e të cilit flasin qartë për nivelin e arsimimit që studentët e programit “Bachelor” kanë marrë AS-ja.

AS-ja, në dallim nga institucionet e tjera të arsimit të lartë në RSH, ka si veçanti sigurimin e punësimit të studentëve të saj që përfundojnë arsimimin e lartë policor, në masën 100%. Këta studentë duhet që të përfundojnë me sukses ciklin e arsimimit, në përputhje me detyrimet ligjore të arsimit të lartë, ashtu si në çdo IAL tjetër në RSH. Që të punësohen në strukturat e Policisë së Shtetit, studentët e kanë kusht të patjetërsueshëm, të diplomohen në përfundim të studimeve të tyre. Statistikat në lidhje me këtë arsimim që ofron punësim janë të larta, po t’i krahasosh me tregun në të cilin veprojnë IAL-të në Shqipëri. Nga viti 2015 deri në vitin 2021 janë diplomuar në “Bachelor” dhe janë punësuar njëkohësisht, 416 studentë.